December 16, 2010

Fasadat e Potemkinit

Fasadat për nga natyra nuk janë të qëndrueshme. Ato kanë vetëm një qëllim: të maskojnë vetëm për një kohë të shkurtër. Në procesin e integrimit evropian Kosova po rrezikohet një fenomen i quajtur Fasadat e Potemkinit. Këto fasada e  ngadalësojnë procesin dhe, për më keq, krijojnë përshtypjen se jemi në rrugë të drejt për në Bashkimin Evropian. E kemi gabuar kthesën.

Me rastin e vizitës së Perandoreshës Ruse Katarina II në Krime me 1787, një nga ministrat e saj Grigori Potemkin, me qëllim të mashtrimit të saj, kishte urdhëruar ndërtimin e vendbanimeve false. Sipas kësaj ngjarjeje, Potemkini, i cili e kishte udhëhequr fushatën ushtarake ruse në Krime, i kishte lyer dhe kishte bërë fasada të reja në të gjitha ndërtesat e fshatrave që ishin të vendosura përgjatë lumit Dnieper (ku do të kalonte Perandoresha) me qëllim që ta impresionoj Perandoreshën dhe njëkohësisht të përmirësojë pozitën e tij në sytë e saj.  Pjesa e shtëpive të cilat nuk shiheshin prej anës së lumit, ndërkaq, përshkruanin realitetin tjetër, të varfër, të pazhvilluar e të uritur, të Krimes së asaj kohe.

Rasti i Potemkinit  është përdorur shpesh për të treguar ngecjen e procesit të integrimit te vendet e Evropës Lindore. Këtë ngecje, një studies i integrimit evropian (Wade Jacoby) e kishte quajtur “Harmonizimi i Potemkinit”.  Në thelb të këtij fenomeni është “natyra e dyfishtë” e institucioneve shtetërore të cilat kanë për mision menaxhimin e harmonizimit të politikave me BE-në. Këto institucione ndërtohen në bazë të rregullave dhe strukturave të transferuara nga BE-ja dhe janë  të pranueshme për vet BE-në, por ato nuk japin efekte pozitive dhe janë të pakuptimta për akterët lokal. Me fjalë tjera, institucionet të cilat e menaxhojnë procesin e integrimit evropian i krijojnë dy faqe, që përfaqësojnë dy realitete të ndryshme, një për Komisionin Evropian dhe institucionet e BE-së dhe tjetrën për qytetarët e Kosovës dhe të gjithë akterët lokal.

Sipas këtij fenomeni, raportet e BE-së me vendet e Evropës Lindore janë të karakterizuara nga një paradoks interesant. Përderisa BE-ja kishte bërë përpjekje të për të promovuar reforma specifike institucionale në Evropën Lindore – shpesh duke transferuar modelet e njohura nga Evropa Perëndimore – vendet aspirante ngurrojnë gjithnjë e më shumë që të tregojnë se për çfarë ndihme kanë nevojë saktësisht. Për elitat politike të vendeve të Evropës Lindore - sidomos për ministrat, zbulimi i detajuar i  mangësive i ka dy anë: është parakusht për ndihmë nga jashtë por edhe rrezik i madh. Frika e tyre ka të bëjë me faktin se evidenca e detajuar e mosfunksionimit institucional mund të përdoret kundër vendit të tyre nga kundërshtarët e zgjerimit të BE-së. Rreziku është jashtëzakonisht i madh dhe, me çdo thirrje të Evropianëve  për të shtyrë anëtarësimet e reja, kjo dilemë bëhet edhe më e madhe.

Elitat kombëtare të vendeve të Evropës Lindore i përgjigjen kësaj situate duke ndërtuar organizata në të cilat një element funksionon për klientët e brendshëm të organizatës përderisa tjetri përdoret të qetësuar patronët e BE-së. Natyra e dyfishtë e këtyre organizatave të cilat kanë për mision menaxhimin e harmonizimit të politikave me BE-në, tregon pse rregullat dhe strukturat e transferuara nga BE mund të jenë  të pranueshme për vet BE-në, edhe pse ato mbesin të pakuptimta për akterët lokal. Njëra anë e tyre shërben për këta të fundit, tjetra për BE-në.

Po ta shikoni procesin e integrimit evropian në Kosovë, fasadat e Potemkinit mund ti gjeni kudo. Institucionet e Kosovës që merren me menaxhim të procesit janë të ndërtuara që të prodhojnë dokumente strategjike të integrimit të cilat as vetë nuk i përfillin. Shikoni Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, për shembull. Diku në fillim do të gjeni se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për procesin e integrimit evropian, se procesi i integrimit është prioritet strategjik etj. Edhe Plani I Veprimit për Partneritet Evropian e shpreh qartë se integrimi evropian është prioritet strategjik i vendit. Publikut kosovar dhe atij ndërkombëtar i thuhet  pandërprerë se është ëndërr e kosovarëve që Kosova të integrohet në BE dhe se qeveria po bën çdo gjë që është e mundur për të realizuar atë qëllim. Shumë bukur!

Por, fillo të rrëmosh pak dhe fasada bie shpejt.  Ky vend nuk ka kaluar as ligje, nuk ka alokuar as buxhet, nuk ka treguar as ndonjë vullnet të posaçëm politik për të avancuar në procesin e integrimit. Raporti i fundit i Progresit të Komisionit Evropian, Transparency International, Doing Bussines (Te Bësh Biznes) i Bankës Botërore, Reporterët pa Kufij etj, tregojnë realitetin e zymtë të Kosovës. Këto raporte që monitorojnë progresin e Kosovës në fusha të ndryshme janë në kundërshtim të thellë më atë që paraqet qeveria e Kosovës. 

Për qytetarët e thjeshtë integrimi evropian nënkupton një jetë më të mirë, një afrim me Evropën. Për qeverinë, zgjatje të jetës në pushtet, e për Bashkimin Evropian, një Kosovë stabile, të qetë e demokratike, me treg të lirë, dhe të aftë të marrë mbi vete barrën e ligjeve të BE-së. Për dikë tjetër, është proces abstrakt i mbështjellë me vellon e hegjemonisë së re evropiane e për disa të tjerë është zhvillim ekonomik. Për dikë nuk dihet se çfarë është fare e për dikë tjetër është proces “ku do të bëhet mirë”. Pa marrë parasysh se si shihet ky proces nga njerëzit, ecja nëpër të mund të matet dhe nuk është abstrakte.

Thjesht, vetëm shikoni ligjet dhe buxhetin e shtetit dhe do ta kuptoni në masë të madhe përparimin ose stagnimin e vendit në procesin e integrimit evropian. Pra, shihni planet e qeverisë për ligjet që planifikohen të kalohen dhe buxhetin që i përcaktohet sektorëve të ndryshëm, e lehtë do ta keni të kuptoni se si po ecën Kosova në rrugën e saj drejt BE-së. Këto gjëra mund ti bëni sa për sy e faqe për të kënaqur BE-në, mund ti bëni për ta kënaqur opinionin publik dhe të gjithë akterët lokal, apo mund ti bëni që ti kënaqeni të dy anët. Procesi i integrimit është në rrugë të drejtë kur të dyja, edhe BE-ja edhe opinioni i brendshëm publik, shohin progres.

Gjatë vitit 2010 Kuvendi i Kosovës, për shembull, deri në muajin gusht (në përfundim të sesionit pranveror) ka miratuar gjithsej 42 ligje prej të cilave vetëm 9 figurojnë edhe në Strategjinë Legjislative.  Pjesa tjetër e ligjeve të aprovuara janë ligje të cilat kanë qenë në procedurë gjatë viteve paraprake. Procedurat kanë filluar edhe për 39 projektligje tjera duke përfshirë këtu: 1 nga viti 2008, 5 të vitit 2009, dhe 33 tjera të hapura në 2009.  Nga këto 33 projektligje ne procedurë, 19 janë projektligje që parashihen edhe në Strategjinë Legjislative 2010. Qeveria e Kosovës i qaset agjendës evropiane në mënyrë mekanike me ushtrime të cilat vetëm kanë për qëllim mbushjen e kutisë (tick the box) dhe konstatimin se veprimi është përmbushur. Për më shumë, agjenda evropiane në përgjithësi nuk është vendosur në qendër të planifikimit të dokumenteve strategjike. Zhvillimi i politikave, po ashtu, nuk shihet si parakusht për hartimin e legjislacionit. Kualiteti i legjislacionit, në anën tjetër, është i dobët dhe duhet të përmirësohet.

Duhet të ketë  vullnet të shtuar politik për integrimin e Kosovës në BE nga ana e Qeverisë. Kjo kërkon adresimin e çështjeve të cilat identifikohen si sfida dhe kërkesa të Bashkimit Evropian në dokumentet si: Raporti i Progresit, Partneriteti Evropian, përfundimet e takimeve plenare dhe sektoriale te Dialogut të Stabilizim Asociimit dhe premtimet e bëra nga Qeveria e Kosovës lidhur me avancimin e agjendës evropiane për Kosovën. Po ashtu, përgatitja e politikave të Qeverisë duhet t'i paraprij legjislacionit dhe jo legjislacioni t’i prijë politikave. Duhet të bëhet, po ashtu, përgatitja paraprake e Koncept Dokumenteve për projektligjet në të cilat do të punohet në vitin në vijim si mënyrë përzgjedhjeje për projektligjet që arrijnë të futen në Strategjinë Legjislative.  Një gjë e tillë jo vetëm se do të ndihmonte në respektimin e afateve të dhëna në Strategjinë Legjislative por do të kontribuonte edhe në planifikimin më të mirë të buxhetit për vitin e ardhshëm.  

Tani, shikoni anën financiare. Buxheti I Kosovës nuk reflekton integrimin dhe adresimin e sfidave të Raportit të Progresit  të Komisionit Evropian. Integrimi evropian nuk është prioritet buxhetor për Qeverinë e Kosovës. Procesi i hartimit të buxhetit merr pak për bazë prioritet e paraqitura në Planin e Veprimit për Partneritet Evropian. Masat e identifikuara për të adresuar sfidat që dalin nga Raporti i Progresit nuk janë pjesë e planifikimit buxhetor. Buxhetit të Kosovës, i tillë çfarë është sot, i mungon lidhja dhe koordinimi me Dokumentet e Planifikimit Indikativ Shumëvjeçar të BE-së (MIPD). Mungesa e koordinimit me donatorë, për më tepër, (dhe donatorëve në mes veti) ndikon negativisht për përmbushjen e kritereve të integrimit. Edhe pse nuk kemi arritur në këtë fazë, Kosova ende nuk ka filluar të përgatitet për të implementuar të gjitha fondet e IPA-s në formë të decentralizuar dhe të përgatitet për të pranuar dhe menaxhuar asistencën financiare nga BE-ja e cila do të vjen nga komponent III, IV dhe V të IPA-s.

Lidhja në mes të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) dhe Planit të Veprimit për Partneritet Evropian (PVPE) dhe zbatimi i tyre në praktikë është e dobët dhe duhet të forcohet. Koordinimi i tyre është një nga sfidat kryesore për Kosovën në procesin e integrimit. Secila sfidë tjetër në këtë proces është e lidhur ngushtë me koordinimin dhe implementimin e këtyre dy dokumenteve strategjike të Kosovës.  Po ashtu, duhet të llogaritet sa kushton PVPE për Buxhetin e Kosovës. Është e pakuptueshme dhe e palogjikshme që PVPE ende nuk ka vlerësim të ndikimit financiar në Buxhetin e Kosovës.  Në momentin kur PVPE kostohet,  përfshirja e tij në KASH dhe Buxhet lehtësohet jashtë mase. Për më shumë, Kosova do të duhet të filloj përgatitjet për të pranuar dhe menaxhuar asistencën financiare nga BE-ja dhe të koordinohet me Dokumentet e Planifikimit Indikativ Shumëvjeçar të BE-së (MIPD).  Mungesa e kapaciteteve dhe përgatitjeve të duhura mund të shkaktojë humbjen e miliona eurove në asistencë financiare nga BE-ja, njëkohësisht duke rritur koston e procesit të integrimit për Kosovën.

Pa u mërzitur, bëni analizën e fundit. Ligjet planifikuara dhe buxheti duken bukur vetëm në letër. Për qytetarët e Kosovës këto dokumente që përfaqësojnë ligjet dhe buxhetin mund të krijojnë përshtypjen se Kosova është duke ecur mirë.  Por ashtu sikurse Katarina, ata po shohin vetëm fasadat. Më thellë, brenda procesit, në anën tjetër të rrugës, vizitori tjetër po sheh pamje tjetër. Bashkimi Evropian sheh fytyrën tjetër të integrimit të Kosovës. E sheh një proces të varfër, anemik, të humbur. Fasadat për nga natyra nuk janë të qëndrueshme. Ato kanë vetë një qëllim: të maskojnë vetëm për një kohë të shkurtër. Nëse vazhdon kështu, populli i Kosovës do shoh shumë shpejt përtej fasadave. Atëherë do të jetë edhe më keq.

0 comments: