December 09, 2007

Shkenca kundër të tjerave

Nga ky zbulim shkencor mund të lëkundet demokracia e mund ta fitojë një betejë religjioni. Hitleri do të rrotullohej në varr, Richard Dawkins mund të mos fle rehat, derisa John Stuart Mill, po të ishte gjallë, do të duhej ta mbronte fuqishëm “Mbi Lirinë”.


Para ca kohe The New York Times botoi një artikull (mund ta lexoni k
ëtu) ku thuhet se shkencëtarët ishin shumë afër të vërtetonin se afrikanët, gjenetikisht, janë në nivel më të ulët intelektual dhe se kanë tru më të pazhvilluar se të tjerët. Nëse qëllon të jesh afrikan, me lëkurë të zezë, shanset janë shumë të mëdha që ti të jesh i një niveli intelektual më të ulëta sesa një mik u juaji amerikan, anglez apo kosovar. Jo sepse keni pasur edukim tjetër, kulturë tjetër apo edhe një jetë materiale më të mirë, por për faktin, që mund të mbështetet në shkencë, se afrikani gjenetikisht ka një tru që nuk i mundëson atij të jetë në të njejtin nivel intelektual me të tjerët. Po të kishte mundësi të lexonte New York Times-in sot, Hitleri do të rrotullohej në varr !!!

The New York Times, te pjesa e saj për shkencën, ashtu sikurse edhe gazetat e tjera me renome botërore, boton vazhdimisht artikuj interesant që raportojnë për zbulimet e mëdha shkencore. Dhe zakonisht ato zgjojnë reagimet e njerëzve për aq sa mund të zgjojë ato një artikull gazete. Komentojnë e shkruajnë, reagojnë e nuk besojnë, qindra e mijëra njerëz të zakonshëm e njerëz të shkencës. Kjo zgjat për një periudhë dhe pastaj botohet artikulli tjetër dhe kapitulli i temës mbyllet për të vazhduar me tjetrën. Krijohet një cikël që përsëritet vazhdimisht. Rrallë ndonjëherë ndodhë që zbulimet shkencore të shkaktojnë dridhje të mëdha shoqërore. Zbulimi i fundit shkencor që u pasqyrua në këtë gazetë, ka gjasë që të ketë ndikim aq të madh në jetën shoqërore sa të arrijë deri atje sa të tund themelet e demokracisë dhe vlerat e saja themelore. Për më shumë, debati i përjetshëm në mes të shkencës dhe religjionit mund të bëhet edhe më i nxehtë duke pasur për bazë pohimin se tani religjioni mund të përdorë shkencën për të treguar dobësitë e vet shkencës. Pra, së pari, diskutimi akademik mund të shkojë deri te fakti se mund të ndodhë që për herë të parë shkenca të vërtetojë një teori e cila mund të lëkund demokracinë madje edhe në Amerikë dhe në Evropën Perëndimore. Dhe, së dyti, religjioni mund të fitojë së paku një betejë – jo krejt luftën- në raport me shkencën.

Nëse shkencëtarët kanë zbuluar se gjenetikisht afrikanët janë të një niveli më të ulët intelektual se të bardhët, teoria raciste për një racë superiore ndaj tjetrës mund të fitojë mbështetjen e shkencës. Pyetjet që ngrihen natyrshëm janë: Çfarë ndodhë, për shembull, me një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë - e të cilat mund t'i gjejmë në themel të kushtetutave të vendeve demokratike - se “Të gjithë njerëzit janë të barabartë”? Apo çfarë mund të ndodhë me faktin se të gjithë njerëzit janë të barabartë pa marrë parasysh ngjyrën dhe vendin prej nga vijnë? Në nivele individuale, çfarë do të ndodhë me komunitetin afrikan në një vend më shumicë të bardhë? Me pyetje të tilla mund të vazhdohet pa fund, por më e rëndësishmja, mendoj unë, është çështja se si do ta tejkalojë demokracia problemin se, megjithatë, njerëzit nuk qenkan të barabartë.

Filozofët mund të thonë thjeshtë: njerëzit nuk janë kurrë të barabartë me njëri-tjetrin. Ata lindin të ndryshëm me përparësi ose disavantazhe ndaj njëri tjetrit. Aristoteli këtë e kishte quajtur barazi aritmetike që nënkuptonte faktin se biologjikisht njerëzit nuk mund të jenë të njejtë me njëri tjetrin. Pra, ashtu siç thuhet në këtë zbulim të fundit, se njerëzit nuk janë të barabartë me njëri tjetrin, ashtu kishin thënë dy mijë vjet më parë grekët e vjetër. Me një fjalë, filozofët nuk duhet të kenë problem me këtë teori sepse ajo vetëm sa e forcon bindjen e tyre se barazia sociale dhe ajo gjenetike janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Është diçka krejt e ndryshme të mos jesh i barabartë para ligjit dhe diçka diametralisht tjetër të mos jesh gjenetikisht i barabartë me tjetrin. Demokracia për aq sa garanton barazinë para ligjit, po me të njejtën garanci shtyn përpara pabarazinë gjenetike. Ata që janë më të zotë e më të mençur, brenda kuadrit ligjor të shtetit demokratik, ecin përpara duke shfrytëzuar përparësinë e tyre mendore e fizike. Unë dhe ti mund të jemi të barabartë para ligjit (çështja se sa jemi të barabartë para ligjit, megjithatë, është mjaft e diskutueshme në qarqet e botës akademike), por ne të dy ka shumë shanse që të mos jemi të barabartë gjenetikisht, duke nënkuptuar këtu, përparësinë e lindur gjenetike por edhe investimin e vazhdueshëm në dije e shkencë. Ka dymijë vjet që filozofët thonë këtë gjë e pakkush iu vë veshin.

Por, ndërsa shkenca bën punën e vet, religjioni ka gjasë të përfitojë në masë të madhe nga ky zbulim shkencor. Shkenca kërkon fakte të matshme për fenomenet që ajo hulumton pa marrë parasysh vlerën e tyre shpirtërore apo emocionale. Edhe kur flitet për Zotin, duke mos iu shmangur rregullave të rrepta të saj, shkenca kërkon fakte për ekzistimin e tij. Dhe përderisa ajo nuk mund të vërtetojë me përpikëri se ai nuk ekziston, njëkohësisht, ajo nuk mund të vërtetojë se ai ekziston. Me një fjalë, shkenca ka për bazë arsyen, faktet dhe mendimin kritik, religjioni ka besimin dhe mossfidën ndaj rregullave të vetë fesë që fillojnë me pranimin e ekzistimit të Zotit dhe nënshtrimin e pasfiduar ndaj autoritetit të tij. Feja në parim thotë që njerëzit janë të barabartë para Zotit dhe kjo është më e rëndësishmja. Natyrisht, natyra njerëzore është e prirur të besoj se njerëzit janë të barabartë me njëri tjetrin. Fakti se unë mund të kem një ngjyrë tjetër lëkure apo mund të jem i lindur diku në Afrikë nuk mund të më bëjë mua më të dobët intelektualisht dhe mendërisht që në sekondat e para të lindjes sime. Në këtë rast, feja mbron parimin se njerëzit janë të barabartë (para Zotit), ndërsa shkenca po vërteton se, megjithatë, ne nuk qenkemi të barabartë. Teza e Richard Daëkins se religjionet janë arsyeja më e fuqishme për vrasjet e miliona njerëzve dhe për një botë të tillë që sot e trashëgojmë, mund të dobësohet nga fakti se me këtë zbulim shkenca mund të jetë arsye e luftërave të ardhshme dhe destabilizimeve politike të jashtëzakonshme brenda sistemeve politike demokratike. 1 me 0 për religjionin !!! Richard Dawkins mund të mos ketë më dëshirë ta lexojë NY Times.

Megjithatë, si ateisti më i famshëm në botë, Dawkins mund ta ketë përgjigjen për këtë problem që po e diskutojmë. Shkenca ka qëllimin e vet - për të cilin edhe ekziston – e që është e vërteta. Ajo nuk mund të ikë nga ai themel vetëm për shkak të bindjeve politike të njërit apo tjetrit. Nëse ka nevojë për ndryshime, atëherë ndryshoni demokracinë, do të mund të thoshte Dawkins. Për më tepër, shkencëtarët e dinë se zbulimet në shkencë mund të mos jenë të përhershme. Ato qëndrojnë deri atëherë sa të provohet se një zbulim është treguar të mos jetë i pranueshëm. Pra, nëse ky zbulim në NY Times mbetet i vërtetuar shkencërisht sot, kjo nuk do të thotë se më vonë, të tjerë shkencëtarë nuk do ta provojnë se kjo ishte gabim. Në të vërtetë, është ky parim i thjeshtë në bazë të të cilit funksion një makineri e mahnitshme sikur që është shkenca.

Më pak se Dawkins, ata që nuk duhet të flenë fare janë mbështetësit më të zjarrtë të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Shkenca mund të vërtetojë se një Afrikan nuk është i barabartë me një të bardhë, por Kushtetutat e vendeve demokratike mund të vazhdojnë të mbrojnë themelin e demokracisë se ne jemi të barabartë. Problemi mund të zgjidhet lehtë duke argumentuar se për hir të paqes sociale ne duhet të vazhdojmë t’i trajtojmë të gjithë njerëzit si të barabartë. Së paku para ligjit.

Por problemi në fakt qëndron te liria individit. Neve të tjerëve (jo Afrikanëve) në lirinë tonë individuale të garantuar nga demokracia liberale na shtohet edhe një rreth tjetër: deklaratat raciste. Nëse deri më tani jemi dënuar për çfarëdo deklarate të bazuar në ngjyrë apo paragjykime të ngjashme raciste, tanimë deklarimet publike se një afrikan me ngjyrë të zezë është më i dobët intelektualisht se një i bardhë nuk mund të përbëjnë më thirrje të paargumentuara. Liria ime individuale, pra, është rritur në dëm të lirisë së tjetrit i cili ka ngjyrë tjetër nga unë. Në anën tjetër, hapësira e lirisë individuale së një afrikani është ngushtuar, sepse ai, ta zëmë, nuk mund të argumentojë se prapambeturia në Afrikë është vetëm si rezultat i kolonializmit dhe neo-kolonializmit. Demokracia liberale që garanton lirinë e individit deri në atë shkallë sa të mos e cenojë lirinë e tjetrit, ose duhet të ndryshojë vetë për shkak të këtij standardi të dyfishtë, ose duhet mohojë faktet shkencore dhe të vazhdojë me të vjetrën. Po të ishte gjallë, John Stuart Milli, i cili me aq pasion shkroi “Mbi Lirinë”, do të duhej ta mbronte veprën e tij sot.

Sidoqoftë, një mik imi, fizikant i doktoruar në Japoni, duke më dhënë një shembull, më zbehu dyshimin tim në lidhje me efektet shoqërore të këtij zbulimi. Shkenca, tha ai, ka më shumë se 150 vjet që e ka zbuluar se njeriu e ka prejardhjen prej majmunit. Dhe sot, një pjesë e madhe e botës ende besojnë se ai zbulim shkencor nuk është i vërtetë. E pra, vazhdon ai, nëse për një zbulim, ndër më të mëdhenjtë në historinë e njerëzimit, botës së ndikuar nga feja i është dashur më shumë se 150 vjet për të mos e pranuar këtë zbulim shkencor, atëherë unë duhet që lirisht të heq frikën se zbulimi i publikuar në NY Times do të ketë efekte të shpejta negative në jetërat tona dhe në sistemet tona politike. Miku im mund të ketë të drejtë në këtë drejtim.

Debati për shkencën e religjionin, me gjithë përparësitë dhe mangësitë që mund t’i ketë njëra apo tjetra, është duke vazhduar pandërprerë në botën e zhvilluar. Në një botë të vogël, siç është kjo e jona në Kosovë e Shqipëri, ne duket se nuk merremi fort me këto punë. Herët apo vonë, çështja e fesë dhe shkencës do të fillojë të debatohet edhe në mikrobotën tonë akademike. Një problem i madh që na shfaqet këtu është: A kemi çfarë të themi?

June 14, 2007

Kapërcimi i madh


Kalimi në fazën post-ekzistenciale për shqiptarët kërkon ridefinim të kritereve për zgjedhjen e aleatëve. SHBA-të mbesim aleat i pamohueshëm, por raportet me Evropën duhet rishikuar. Harroni Evropën si kurva plakë! Evropa për ne tanimë është shumë seksi.

Për sa njihet historia jonë, shqiptarët kurrë nuk kanë qenë në pozitë më të mirë ekzistenciale sesa janë tani. Periudha politike, prej pas rënies së komunizmit e sidomos pas luftës në Kosovë dhe konfliktit në Maqedoni, reflekton një pozitë të jashtëzakonshme, të panjohur ndonjëherë në historinë tonë. Shqipëria tanimë është një shtet me demokraci të konsoliduar dhe me një rritje të admirueshme ekonomike; Kosova është në prag të pavarësisë së saj; Shqiptarët e Maqedonisë kanë avancuar pozitat e tyre kushtetuese me Marrëveshjen e Ohrit; Në Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi, pas Millosheviqit pozita e shqiptarëve është më e mirë. Shqiptarët po futen në një epokë të re, të paprovuar ndonjëherë më parë.

Për herë të parë, ne jemi aleat me shtetet më demokratike dhe më të fuqishme të botës. Vizita e Presidentit Bush konfirmoi këtë zgjedhje. Superfuqia e vetme demokratike botës, përmes vizitës së presidentit të saj në Shqipëri, vërtetoi pozitën e mirë të shqiptarëve në raport me botën perëndimore. Përkrahja e vendosur amerikane për pavarësinë e Kosovës forcon më tej faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan dhe fuqizon imazhin e tyre pro-perëndimor. Amerika ndihmoi shqiptarët në momentet kur tërësia jonë si komb rrezikohej. Wilsoni kur u Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, Bushi i Vjetër kur kërcënoi Millosheviqin për Kosovën, Klintoni dhe çlirimi i Kosovës dhe, tash së fundi, vendimi i Bushit të Ri për pavarësinë e Kosovës. Këtë herë, zgjedhja e aleancave nuk është e gabueshme.

Pas pavarësisë së Kosovës shqiptarët kapërcejnë fazën e mbijetesës si komb dhe e ardhmja përcakton një ide tjetër madhore që duhet të shërbejë si udhërrëfyes për të ardhmen e kombit. Lufta për ekzistencë po shndërrohet në një betejë tjetër: lufta për zhvillim ekonomik në një botë që është duke u zhvilluar me ritme marramendëse. Mbijetesa e qenies do të zëvendësohet me luftën për mbijetesë ekonomike. Ky kapërcim i madh kërkon komplet një strategji të re kombëtare të zhvillimit. Elementet nacional-romantike, që ishin të mbizotëruese gjatë vizitës së Bushit jo vetëm te politikanët por edhe te shumica e opinion-bërësve, duhet të varrosen bashkë me fazën e mbijetesës së shqiptarëve. Analizat emocionale të politikës kombëtare të shqiptarëve duhet të mbesin relikte të së kaluarës.

Kjo fazë e re mund të kërkojë ridefinim dhe ripozicionim karshi aleancave të deritanishme. Nuk është se deri më sot kemi pasur mundësi të zgjedhim aleancat sepse është një periudhë e gjatë historike kur ne nuk kemi pasur mundësi zgjedhjeje, por ato na janë imponuar. Duke filluar prej Romës, nëpër Bizant e deri te pushtimi Osman, shqiptarëve iu është imponuar sistemi politik dhe ai ekonomik. Pas turqve, Kosova ishte pushtuar nga serbët dhe mbetja e saj në ish-Jugosllavi kishte më shumë karakter mbijetese sesa zgjedhje e aleancave për përforcimin e pozitës gjeostrategjike të kombit. Shqipëria u shndërrua në shtetin më komunist në botë duke huqur të dy sistemet për zhvillim të kombit: sistemin politik dhe ekonomik. Çështjet madhore ishin ekzistenciale; ishin çështje të mbijetesës si komb. Ajo periudhë e gjatë është duke përfunduar. Vizita e Bushit dhe pavarësia e Kosovës do ta rrumbullakojnë periudhën e luftës për ekzistencë të shqiptarëve. Faza e re është duke filluar.

Një fillim i mbarë do të ishte sikur ne ngadalë të fillojmë të heqim dyshimin ndaj Evropës. Ne nuk do të përballemi me problemet e mëdha të ruajtjes së tërësisë si komb dhe mund të mos kemi nevojë (jo sikurse deri më sot) për lidhje aleancash të cilat na garantojnë prezencën fizike si komb. Ajo kohë ka përfunduar dhe tani zgjedhja e aleatëve për duhet të bëhet duke u bazuar në kushte tjera. Këtu kam parasysh faktin që, në një botë “të rrafshët”, fuqia ekonomike së bashku me një ridefinim të qeverisjes, duke përfshirë këtu konsolidimin e vazhdueshëm të demokracisë, do të përbëjë faktorët kyç për zhvillimin e shqiptarëve.

Këto kritere të reja për definim të interesave kombëtare, pas kapërcimit të periudhës së fazës ekzistenciale, duhet kërkuar sidomos në krijimin e raporteve të ngushta me Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbesin një aleat i madh i shqiptarëve dhe për këtë ne duhet të bëjmë ç’është e mundur që ashtu të mbetet, por Evropa e Bashkuar do të kthehet në një aleat post-ekzistencial pa të cilën shqiptarët nuk do të mund ta projektojnë të ardhmen e tyre. Pas luftës në Kosovë e deri më sot, Bashkimi Evropian është donatori ma i madh i ndihmave për Kosovën. Më shumë se 1 miliardë euro janë dhënë në formë ndihmash në Kosovë, shumë më tepër se SHBA-të dhe çdo vend tjetër. Bashkimi Evropian mund të mos ketë fuqinë ushtarake dhe politike të ngjashme me SHBA-të, por fuqia ekonomike e BE-së është e barabartë me atë të SHBA-së. Dhe kjo fuqi ekonomike përbën kriterin më të rëndësishëm për të interesat tona kombëtare.

Mos më keqkuptoni! Me këtë nuk them që ne duhet të zgjedhim në mes Amerikës dhe Evropës. Një zgjedhje e tillë është vështirë të jetë racionale. Dua të them që ripozicionimi i shqiptarëve ndaj Evropës duhet të ndodhë sa më shpejt. Evropa deri vonë për ne ishte një kurvë plakë që tani duhet parë si një bukuroshe e re e sfiduese. Dyshimi i shqiptarëve ndaj Evropës është racional dhe Lufta e Kosovës e ka dokumentuar këtë herën e fundit. Intervenimi në Kosovë kishte karakter ushtarak dhe Bashkimi Evropian ende është shumë larg një fuqie ushtarake (po të konsiderojmë shtetet anëtare veq e veq atëherë fuqia ushtarake konvencionale e Evropës do të renditej menjëherë pas SHBA-së). Në fakt, rasti i Kosovës ishte një nga arsyet kryesore për një ridimensionim të politikave të mbrojtjes së BE-së. Arsyet për këtë janë pjesë e stadit momental të BE-së dhe të vendimmarrjes në Bashkimin Evropian, elemente të cilat nuk mund të jenë pjesë e këtij shkrimi, sepse kërkojnë rreshta e fjalë shumë më tepër sesa që ky blog i vogël mund të përmbajë. Asokohe, kishim nevojë shumë më tepër për Amerikën sesa për Evropën. Në fazën post-ekzistenciale, nëse roli i Amerikës për shqiptarët ka mbetur i njëjtë, roli i Evropës për interesat tona kombëtare është rritur shumë herë.

Roli i Evropës për ne është vendimtar sepse tash e tutje do ta kemi shumë të vështirë që klithjet tona të para ti kemi të bazuara në mbrojtje fizike të kombit. Ekzistenca fizike e shqiptarëve, pas intervenimit të NATO-s nuk diskutohet. Ajo është një çështje e mbyllur. Çfarë duhet diskutuar tani e tutje është fakti se si do t’i shohim interesat tona dhe si do ta bindim edhe vetën por edhe BE-në se, pas kapërcimit të madh, neve Evropa na duhet po aq sa edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po e them prapë që aleancat e shqiptarëve tash e tutje duhet të kenë për bazë faktorin ekonomik dhe jo emocionet irracionale. Dhe këtu Evropa është e pakontestueshme. Duke mos bërë zgjedhje në mes Amerikës dhe Evropës, ne shumë lirshëm mund t’i rrisim vlerën dhe peshën aleancës me Bashkimin Evropian për arsye që do të jenë plotësisht në interesa të zhvillimit të shqiptarëve.

Duhet pasur parasysh faktin se lidhjet dhe komunikimet e shqiptarëve me Evropën vetëm sa do të vijnë e rriten. Kjo rritje nënkupton ngritjen e komunikimeve dhe bashkëpunimit në çdo fushë e sidomos në fushën ekonomike. Do të jetë Evropa shumë më tepër sesa Amerika ajo me të cilën do të ballafaqohemi përditë dhe prej të cilës do të kemi leverdi më të madhe ekonomike. Një studiues i zgjerimit të Bashkimit Evropian thotë që vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bëjmë pjesë edhe ne, do të duhet të përdorin një “veprim retorik” për të përfituar sa më shumë nga BE-ja. Kjo nënkupton faktin që duke përpiluar politikat e tyre të jashtme e të brendshme, shqiptarët duhet të kërkojnë atë që vendet e Bashkimit Evropian e kanë tanimë-demokracinë e konsoliduar. Duke u bazuar në kërkesa për më shumë demokraci – dhe prandaj më shumë lidhje me BE- shqiptarët duhet të shfrytëzojnë përfitimet ekonomike të BE-së për të vazhduar të qetë periudhën e re historike të tyre që fillon pas pavarësisë së Kosovës. Më shumë lidhje me BE-në, më shumë përfitime ekonomike. Tash e tutje, aty ku ka më shumë përfitime ekonomike, ka më shumë interesa të shqiptarëve.

Lidhjet e ngushta me Evropën do të jenë në interesa kombëtare të shqiptarëve. Fuqisë ushtarake amerikane, edhe ashtu prezente përmes NATO-s, do t’i bjerë rëndësia për ne shqiptarët. Të gjitha të tjerat do të na vinë nga BE-ja. Reformat e thella administrative dhe shumëçka tjetër, që në fakt thjesht mund të definohet si interes kombëtar i shqiptarëve, vjen nga Evropa më shumë se nga çdo vend tjetër. Në listën e aleatëve të shqiptarëve, Amerika ishte dhe ende është e para. Në listë ishin ca vende të zbrazëta e pastaj diku më poshtë, në vendin e dytë, vinte Evropa duke bartur vellon e mosbesimit i cili ishte shtuar shumë pas luftërave në Bosnje e Kosovë. Bëjmë mirë që ta ndryshojmë pak listë. Le të mbetet Amerika aty ku është, por le ti bashkëngjitet Evropa. A nuk mund të kemi dy aleat të fuqishëm në vendin e parë në listën e interesave tona kombëtare?!